Foto: Policia e Kosovës

Policia kërkon ndihmë për t’i identifikuar tre persona të dyshuar për kultivim të narkotikëve në Malishevë

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të identifikuar tre persona të dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike në një zonë të thellë të fshatit Panorc të Malishevës, vend i njohur si “Te Lugaja”.

“Hetues të antidrogës së Policisë së Kosovës, në rajonin e Gjakovës, janë duke hetuar rastin lidhur me veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës, me ç’rast në vendngjarje në tre (3) lokacione të ndryshme janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara për kanabis sativa me gjatësi 20-50cm” – thuhet në njoftimin e Policisë.

 

Publikimi i fotografive të të dyshuarve, sipas Policisë është bërë me autorizim të Prokurorisë.

Për çdo informacion lidhur me identitetin apo vendndodhjen e personave në këto fotografi, Policia fton qytetarët që të lajmërohen në numrin 192 apo 045285169.