Policia kap në flagrancë dy persona në një laborator në Podujevë, duke dhënë teste false për COVID-19

Dy persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës në një laborator në Podujevë pasi janë kapur në flagrancë duke lëshuar teste të falsifikuara për COVID-19.

Hetuesit policorë, gjatë realizimit të këtij operacioni policor, kanë arritur të kapin ‘në detyrë e sipër’ duke lëshuar teste të falsifikuara pronarin e laboratorit, të dyshuarin B.S., viti i lindjes 1952, dhe punëtoren e këtij laboratori Xh. Sh., viti i lindjes 1988, të dy shtetas të Kosovës.

Hetimet paraprake dhe operacioni policor i sotëm vjen pas dyshimeve se në këtë laborator lëshoheshin teste të falsifikuara për COVID-19.

Sipas komunikatës së Policisë, zyrtarët policorë (hetuesit dhe forenzika) edhe në këto momente janë duke vazhduar kontrollin në laborator së bashku me Inspektoratin Shëndetësor, ku janë sekuestruar dëshmi të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si provë në procedurën e mëtutjeshme penale, po ashtu nga Inspektorati Shëndetësor do të merren masa tjera administrative në kuadër të kompetencave të tyre.

Ndaj dy personave të dyshuar B.S. dhe Xh.Sh., nga prokurori kujdestar i PTH-Prishtinë u është lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh lidhur me dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “falsifikim i dokumenteve”.