Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia ka iniciuar 3 raste që ndërlidhen me zgjedhjet e sotme

Në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar 3 raste që ndërlidhen me zgjedhjet. Por, sipas Policisë, këto raste nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Prej tyre një rast është evidentuar në Lipjan si “Pengim i procesit të votimit”, ku është arrestuar një person i cili me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa dy rastet tjera, një në Prizren dhe një në Fushë-Kosovë, janë evidentuar si “cenim i fshehtësisë së votimit”, ku me vendim të prokurorëve të dy rastet janë dërguar në procedurë të rregullt.

“Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor. Policia e Kosovës mbetet  e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.