Foto: Ilustrim

Policia jep sqarime për incidentin e djeshëm në Zubin Potokut

Policia e Kosovës ka dhënë sqarime lidhur me incidentin e datës 09.05.2021, në zonën e komunës së Zubin Potokut.

Një ditë më parë, në malet e Zubin Potokut një grup alpinistësh të “Montain Club” u raportua se në afërsi të tyre u qëllua me kallashnikov.

Përmes një njoftimi, Policia e Kosovës ka bërë se pas marrjes së njoftimit lidhur me incidentin e datës 09.05.2021, në zonën e komunës Zubin Potok, përkatësisht të fshatit Bube, ka ndërmarr të gjitha veprimet operative dhe ato preliminare hetimore, me qellim të zbardhjes së rrethanave të incidentit të raportuar.

“Policia menjëherë ka ndërmarr veprimet në kërkim dhe identifikim të vendit të ngjarjes dhe provave të mundshme materiale. Në zonën malore të fshatit Bube, janë dërguar njësitë patrulluese policore të mbështetura nga hetuesit policor dhe Njësia për Reagim të Shpejtë, të cilët kanë kontrolluar zonën dhe kanë biseduar me banorë të asaj zone, me qellim të sigurimit të informatave rreth rastit”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës së djeshme, pos sipas këtij njoftimi edhe përkundër kërkimeve në terren, policia nuk ka arritur të gjej prova materiale përkatësisht gëzhoja të armës së shkrepur.

Dëshmitaret e rastit, përkatësisht ankuesit e këtij rasti, thuhet më tej në komunikatë, sot gjatë ditës janë intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit gjatë ditës së djeshme nuk kane dhënë deklarata me pretekst se deklaratat do t’i deponojnë në polici në Prishtinë.

“Sot nga orët e paradites, policia ka siguruar deklaratat e dhjetë (10) ankuesve, ndërsa hetuesit policor së bashku me dëshmitaret dhe njësitë policore mbështetëse do të bëjnë serish shikimin e vendit të ngjarjes me qellim të kërkimit të provave materiale. Policia e Kosovës, ka kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e banorëve të zonës se Zubin Potokut, për zbardhjen e rastit të raportuar. Të gjitha veprimet policore në lidhje me rastin do të koordinohen në bashkëpunim me prokurorinë themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës lidhur me incidentin e së dielës në Komunën e Zubin Potokut.