Policia jep detaje për vrasjen në Shtime

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur në një incident me armë që ka ndodhur sot rreth orës 03:20 të mëngjesit në Shtime.

Mehmetali Hajdini, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt, konfirmoi për KALLXO.com se incidenti ka ndodhur gjatë një tentim-grabitjeje në një shtëpi private në Lagjen e Pajtimit në Shtime.

“Policia ka marrë një informatë rreth orës 03:20 për të shtëna me armë zjarri dhe ka dalë menjëherë në vend të ngjarjes. Raportohet se 3 ose 4 persona kanë tentuar ta grabisin një shtëpi”, tha Hajdini për KALLXO.com.

“Grabitësit e dyshuar kanë kërkuar nga pronari i shtëpisë që të dorëzohet por ai nuk ka pranuar. Më pas ata kanë gjuajtur me armë dhe e kanë plagosur në këmbë”, shtoi Hajdini.

Zëdhënësi i Policisë tha se një familjar i pronarit të shtëpisë së shënjestruar dyshohet të ketë ndërhyrë ndërsa gjatë konfliktit një nga grabitësit e dyshuar ka mbetur i vdekur në vend.

“Identiteti i të vdekurit ende nuk dihet. Ai është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Vrasja ka ndodhur me mjete të forta ndërsa dyshohet të jenë përdorur edhe mjete të mprehta sepse hetuesit kanë gjetur një thikë në vendin e ngjarjes”, tha zëdhënësi Hajdini.

Ai tha se pronari i shtëpisë, i cili ishte kthyer një ditë më parë nga Zvicra për pushime, është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa vëllai i tij është arrestuar.

Vrasje në Shtime