Ilustrim - FOTO: KALLXO.com

Policia jep detaje për vrasjen e trefishtë në Deçan

Policia e Kosovës ka thënë se autobusi mbrëmë në Gllogjan të Deçanit dyshohet se është sulmuar me armë zjarri të tipit AK-47.

Sipas forcave të rendit, deri më tani dyshohet se sulmi ka ndodhur nga vetëm një person.

“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë ës Kosovës.

Nga sulmi, mbrëmë rreth orës 19:00 mbetën të vdekur tre persona, ngasësi i autobusit dhe dy nxënës të cilët ishin në të. Ndërsa, një tjetër mbeti i plagosur por jashtë rrezikut për jetën.

“Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, njofton policia.

Mbrëmë, drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti konfirmoi se po zhvillohen hetimet në disa pista.

“Aktalusht kemi dy – tri pista në të cilat jemi duke punuar. Nuk mund të jap detaje, sepse ekipet janë duke punuar dhe ende jemi në fazë fillestare. Kjo do të thotë që jemi në dy ose tri drejtime të caktuara por ende është shumë herët me dhënë detaje”, deklaroi Mehmeti mbërëmë nga Deçani.

Ai ka thënë se në këtë rast, arma e përdorur dyshohet të jetë Kallashnikov.

“Sonte në këtë vend ka ndodhur një situatë shumë tragjike, fatkeqësisht një person ka humbur jetën në vend ngjarje ndërsa dy persona në spital kanë humbur jetën. Dyshohet që sulmi ka ndodhur me AK-47”, deklaroi Mehmeti.

Pas rastit kanë reaguar edhe krerët shtetëror duke përfshirë edhe kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai kërkoi nga qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për kapjen e të dyshuarve.

“Duke ju shprehur ngushëllime familjeve, lus të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth këtij krimi makabër, të bashkëpunojnë me institucionet relevante”, shkroi ai në Facebook.

Thirrje për bashkëpunim mbrëmë bëri edhe Prokuroria e Shtetit. Në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit, apelohet që çdo person që ka informacione në lidhje me atentatin, të bashkëpunoj me organet e rëndit në mënyrë që të zbardhet rasti.

Ndonëse për rastin e mbrëmshme në Gllogjan, sipas organeve shtetërore ende nuk dihen motivet, në Kosovë ka pasur disa raste me pasoja fatale të ndërlidhura me kompanitë e transporteve të udhëtarëve.

Në vitin 2015 kishte mbetur i vdekur pronari i një kompanie në stacionin e autobusëve në Skenderaj. Kjo vrasje kishte ndodhur për shkak të problemeve me linja autobusësh.

Edhe në vitin 2016, në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, pronari i kompanisë Mendi ishte vrarë nga pronari i një kompani tjetër të autobusëve, për shkak të problemeve të kahmotshme të linjave të autobusëve.

Menjëherë pas vrasjes së trefishtë, kanë reaguar edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari I Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Aleancës për Armërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e të tjerë aktorë politik.

Për krimin e trefishtë në Gllogjan, po intervistohen disa persona (VIDEO)

www.kallxo.com