Foto: Kallxo.com

Policia jep detaje për vrasjen e djeshme në Hallaq të Lipjanit

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje për rastin e djeshëm në Hallaq të Lipjanit, ku një person u vra dhe disa të tjerë mbetën të plagosur.

Policia rastin e ka cilësuar si vrasje dhe pjesëmarrje në rrahje.

Sipas PK-së, dje në fshatin Hallaq i Madh në Lipjan, rreth orës 07:17, raportohet se si pasojë e një mosmarrëveshje nëntë persona të dy familjeve janë përfshirë në rrahje ku është përdorë edhe arma e zjarrit.

“Si pasojë e përdorimit të armës viktima mashkull kosovar kishte marr plagë vdekjeprurëse dhe ka ndërruar jetë, ndërsa të plagosur kanë mbet pesë persona të dyshuar  kosovarë të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe  janë  nën përkujdesje të njësive policore”, thuhet në raportin policor.

Policia tutje thekson se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë dhe prokurori i shtetit.

“Po ashtu në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tetë gëzhoja të fishekëve dhe një predhë e fishekut”.

Lidhur me rastin, janë arrestuar edhe tre të dyshuar kosovarë ndaj të cilëve duke përfshirë edhe të dyshuarit e plagosur me vendim prokurori u ka caktuar masën e arrestit për 48 orë, ku tre prej të dyshuarave janë dërguar në mbajtje.

Kurse, trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.