Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Policia jep detaje për vjedhjen e veturës zyrtare të ministrit Liburn Aliu

Policia e Kosovës ka thënë se sot rreth orës 04:30 të mëngjesit në pikën kufitare me Shqipërinë, në Qafë Morinë, e ka gjetur veturën zyrtare të vjedhur të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut.

Sipas Policisë, vetura është kontrolluar nga autoritetet e Shqipërsisë dhe pas dyshimeve të ngritura, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë konstatuar se vetura është e vjedhur.

“Vetura i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vetura drejtohej nga një person i gjinisë mashkullore, i cili kishte mungesë të dokumenteve dhe është prezantuar si: B.S., (viti i lindjes 1979). Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet e Shqipërisë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi për KALLXO.com.

Po ashtu, Krasniqi ka bërë të ditur se në stacionin policor ‘Qendra’ në Prishtinë, në ora 08:50, për vjedhjen e veturës është ankuar përgjegjësi i Ministrisë me inicialet B.C.

Rasti gjithashtu është iniciuar nga Policia e Kosovës si ‘vjedhje’.

Vetura zyrtare e ministrit Aliu ishte e parkuar në oborrin e MMPHI-së në kohën kur është vjedhur.