Policia jep detaje për tentim grabitjen ku mbeti i plagosur një polic

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me tentim grabitjen që ndodhi mëngjesin e hershëm sot në Prishtinë.

Nga kjo ngjarje, një polic ka mbetur i plagosur, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Zëdhënësi i PK-së për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për KALLXO.com se veprimet policore të hetimit  si dhe ato  të gjurmimit në vendin e ngjarjes kanë nxjerrë në pah dyshimet për katër të dyshuar të përfshirë në rast si dhe të armatosur me armë të gjata të cilët me breshëri kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policor.

“Duke parë rrezikun e menjëhershëm, të drejtpërdrejtë dhe krejtësisht të pashmangshëm për jetën e tyre zyrtarët policor kanë përdorur armën e tyre me qëllim të parandalimit të sulmit serioz nga të dyshuarit. Si pasojë e të shtënave nga të dyshuarit përveç plagosjes së zyrtarit policor janë shkaktuar edhe dëme materiale në një veturë të policisë si dhe në një kamion dhe në një automjet tjetër transportues”, ka thënë ai.

Sipas PK-së, së këndejmi të dyshuarit me qëllim të hapjes së bankomatit dhe grabitjes së parave,  dyshohet të kenë përdorur materie shpërthyese,  por përkundër kësaj si rezultat i reagimit policor nuk kanë arritur ti grabisin ato.

“Policia bashkërisht me prokurorin e shtetit po koordinojnë veprimet vijuese hetimore deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke orientuar hetimin për grabitje të armatosur në tentativë dhe vrasje e rëndë në tentativë”, ka shtuar Borovci.

Një polic ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit pas gjuajtjeve që kanë ndodhur mëngjesin e sotëm me një grup të dyshuarish për grabitje në lagjen Veternik në Prishtinë.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka dënuar sulmin me armë zjarri ndaj zyrtarit policor gjatë kryerjes së detyrës, parandalimit të kryerjes së vjedhjes, në njërën prej qendrave tregtare në kryeqytet.