
Policia jep detaje për rastin e sulmit të nxënësve nga qeni në Shkollën në Shirokë të Suharekës
Policia në Suharekë e ka asgjësuar qenin, që hyri në Shkollën Fillore e të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Shirokë, më 22.01.2025 dhe i sulmoi katër nxënës.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës, në Raportin e saj 24-orësh. Sipas njoftimit, Policia e asgjësoi qenin duke përdorur armën zyrtare në drejtim të tij.
Sipas Policisë, dyshohet se pranari i qenit, i cili u arrestua menjëherë pas rastit, e ka lënë pa përkujdesje qenin.
“Zyrtarët policorë janë ballafaquar me rrezikun nga qeni, i cili u është vërsulur edhe zyrtarëve policorë. Me qëllim të eliminimit të rrezikut, një zyrtar policor ka përdorur pajisjen zyrtare (armën zyrtare) në drejtim të qenit – duke e asgjësuar qenin.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 23.01.2025.
Rasti ka ndodhur rreth orës 09:40 dhe dyshohet se qeni ka qenë i tërbuar. Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi se dy prej nxënësve të sulmuar u dërguan në Spitalin Rajonal të Prizrenit, kurse dy të tjerë janë trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë.
Drejtoresha e Shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi i ka thënë KALLXO.com se nxënësit të cilët u sulmuan nga qeni janë të klasës së parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë.
Shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti ka thënë se dy nxënësit e Shkollës Fillore “17 Shkurti”, të cilët i kanë pranuar kanë pasur disa plagë në trup.
“Janë përpunu plagët te na. Prej tyre, një është liru, një është pranu në Repartin e Infektives për trajtim të matutjeshëm.” – ka thënë Veçgishti, më 22.01.2025.
Gjatë kohës së pushimit të gjatë, nxënësit kanë dalë jashtë hapësirës së Shkollës “17 Shkurti”, për të blerë ushqim dhe më pas qeni i ka ndjekur pas kthimit të tyre në shkollë – sipas Bytyqit.
“Knej rrugës duke ardhë (pasi kanë ble ushqim) i ka ndjekë ai qeni, deri në oborr të Shkollës. Fëmija tuj vrapu, edhe ai ka hy me atë fëmijë. E ka sulmu atë vajzën të parën. Kanë qenë kujdestarët, po ata derën e kanë mbyllë menjëherë. E kemi neutralizu, mos me lanë prapë me dalë jashtë – derisa erdhën Policia.” – ka treguar Bytyqi, më 22.01.2025.
Kurse, drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani ka thënë se e ka vizituar Shkollën “17 Shkurti”, nxënësit që janë sulmuar, si dhe familjen e nxënëses më të sulmuar nga qeni.
Rasti është iniciuar, si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. KALLXO.com e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prizren në lidhje me të arrestuarin dhe është në pritje të përgjigjeve.