
Policia jep detaje për plagosjen në Lagjen Arbëria
Një person është plagosur mbrëmë më 03.01.2025 rreth orës 18:30 në Lagjen Arbëria në Prishtinë.
Policia ka dhënë detaje në lidhje me plagosjen që ndodhi ndërsa ka njoftuar edhe se i dyshuari ndonëse është identifikuar vazhdon të jetë në kërkim nga njësitet policore.
Viktima në këtë rast për të cilin KALLXO.com kishte marrë vesh se ka inicialet F.J, sipas policisë është plagosur në shpinë me armë zjarri.
Sh.H., sipas policisë dyshohet se ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas marrjes së informacionit se në Lagjen Arbëria ka të shtëna armësh, njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Aty kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja.
Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndërsa mjeku kujdestar Adem Jaha, i ka thënë KALLXO.com se nga salla operative ishte dërguar në kujdes intensiv duke shtuar se pacienti ka qenë në rrezik për jetë.
Në anën tjetër zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për KALLXO.com se përvec të dyshuarit, janë identifikuar edhe dy vetura të cilat u përkasin të përfshirëve në plagosjen që ndodhi në Lagjen Arbëria në Prishtinë.
Rasti është iniciuar si vrasje në tentativë.