Foto: Top Channel

Policia jep detaje për plagosjen e kryetarit të Lushnjes

Policia e Shtetit ka njoftuar se sot rreth orës 09:00, në zyrën e kryetarit të Bashkisë Lushnjë, dyshohet se është hedhur një granatë dore dhe për pasojë është dëmtuar kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe dhe sekretarja e Bashkisë.

Të njëjtit ndodhen në spitalin e Lushnjes, nën kujdesin e mjekëve.

Sipas Policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është ish-shoferi i kryetarit të Bashkisë, shtetasi G. S., i cili pasi ka hedhur granatën është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë.

Më tej, në njoftimin e Policisë thuhet se forca të shumta policie të Komisariatit të Policisë Lushnjë, të DVP Fier, Renea e FNSH e Fierit janë në atë zonë, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit.

“Grupi i posaçëm hetimor, me Specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, përfundon njoftimi i Policisë.

Plagoset kryetari i Lushnjes, shpërthim me lëndë plasëse në zyrë

.