Isa Mustafa dhe djali i tij, Besnik Mustafa, Foto: Besnik Mustafa/Facebook

Policia jep detaje për kërcënimin e djalit të Isa Mustafës

Besnik Mustafa, djali i Isa Mustafës është kërcënuar mbrëmë përmes rrjeteve sociale.

Mustafa, ka publikuar mesazhin të cilin e ka pranuar përmes rrjetit social facebook, ku një person e ka kërcënuar Mustafën duke e sharë e kërcënuar me vdekje.

Policia gjatë ditës së sotme ka dhënë detaje në lidhje me këtë rast ku ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmë para mesnate.

Sipas policisë, Mustafa ka pranuar një mesazh kërcënues në profilin e tij privat në rrjetin social Facebook nga një profil me emër mashkulli.

Mustafa ka raportuar në polici se i dyshuari për këtë rast e ka fyer dhe ofenduar atë në baza familjare.

Policia ka bërë të ditur se rasti po vazhdon të hetohet, ndërkohë në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përmes një postimit në facebook, LDK kërcënimet ndaj familjes Mustafa i ka quajtur të turpshme.

“Kërcënohet Besnik Mustafa, djali i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Sulmet, propagandat dhe etiketimet karshi familjes Mustafa janë të turpshme”, thuhet në reagim.