Policia jep detaje për grabitjen e automjetit që po transportonte para

Katër persona të panjohur dyshohet se duke përdorur armë zjarri kanë grabitur një shumë parash dhe dy armë zjarri pronë e një kompanie të sigurimit mbrëmë në fshatin Parallovë në Gjilan.

Sipas njoftimit të Policisë personat e dyshuar kanë përdorur armë zjarri të llojit AK/47 dhe pas grabitjes janë larguar në drejtim të panjohur.

“Të dyshuarit më pas i kanë vënë zjarrin veturës të tyre e llojit Opel Zafira. Njëra armë është gjetur 20 metra larg vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka njoftuar se nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet në mënyrë intensive nga njësitet relevante të PK-së.