Policia jep detaje për aksionin në veri, identifikohen nëntë lokacione të postave ilegale

Nëntë lokacione ku funksionin posta ilegale në territorin e vendit janë identifikuar sot nga ana e Policisë së Kosovës.

Këto lokacione u identifikuan në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media tha se sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, është duke vazhduar angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë veriun e Kosovës.

Policia tha se sot, më 05.08.2024, është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.

Tutje në njoftim u tha se bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale.

PK tha se të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore.

Policia me kontrolle në veri, verifikohen operatorë ekonomik pa licencë