Policia jep detaje për aksionin në Mitrovicën Veriore - FOTO

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e djeshëm të hetueseve të antidrogës për bastisje dhe kontroll në dy lokacione në Mitrovicën Veriore.

Policia njofton se gjatë realizimit të operacionit policor në dy lokacione të ndryshme janë sekuestruar para në valuta të ndryshme në (€uro, Dollar-$, Franga, Kruna, Dinar), sprej si dhe një sasi e substancave të dyshuara narkotike(126 gr. marihuanë) e dedikuar për shitje, etj.

Paratë e sekuestruara dyshohet se janë të fituara nga shitja e substancave narkotike të cilat gjendeshin të vendosura nëpër zarfe: 81.374 euro, 6.392.160 Dinar: 200 Dollar USA, 100     Franka Zvicerane, 300 Kruna Suedeze.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe tri fletore ku dyshohet se i dyshuari ka mbajtur shënime në lidhje me shitjen e substancave narkotike.

Vlera e parave të konfiskuara tejkalon 135 mijë e 800 €uro (mbi 135.800.00 €), përderisa i dyshuari me inicialet (N. P.) është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

KALLXO.com ka raportuar të mërkurën një person me inicialet N. P. është arrestuar nën dyshimin se posedonte, shiste e blinte narkotik.

Ai u arrestua në afërsi të një restoranti në Mitrovicën Veriore, ndërsa gjatë ditës janë bastisur edhe dy banesa të tij nga ku u konfiskuan edhe gjëra materiale në cilësi të provave.

KALLXO.com mëson se pas përfundimit të bastisjes së dy banesave të të dyshuarit janë gjetur rreth 90 mijë euro.