Aksident trafiku (arkiv) - Foto: KALLXO.com

Policia jep detaje për aksidentin në Malishevë

Kyqja e pasigurt e veturës BMW X1 në rrugë duket ta ketë shkaktuar aksidentin e rëndë në Malishevë pak minuta pas mesnatës.

Sipas Policisë, shoferi i kësaj veture nuk e ka vërejtur automjetin e tipit  VW Golf, i cili ishte në lëvizje në përballkalim në drejtimin Malishevë– Arllat, dhe goditet me pjesën e përparme.

Katër persona janë lënduar në këtë aksident komunikacioni.

Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Gjakovës, Lirije Podrimaj, tha për KALLXO.com se Policia në Malishevë është informuar për aksidentin 10 minuta pas mesnatës dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Sipas zëdhënëses së Policisë, si pasojë e aksidentit në të dy automjetet ka dëme të konsiderushme materiale dhe katër persona janë  lënduar.

“Me autoambulancë të lënduarit janë dërguar në QKMF- Malishevë dhe pas marrjes së ndihmës së parë janë dërguar në QKUK – Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar me QKUK-në.

Sipas shefit të Emergjencës, dr. Avdush Bajgora, 4 persona janë sjellë në Emergjencë nga Malisheva. Dy prej tyre pas trajtimit janë liruar, ndërsa dy të tjerë kishin lëndime më serioze, porse jeta e tyre nuk është në rrezik.

https://kallxo.com/lajm/aksidenti-ne-malisheve-qkuk-flet-per-gjendjen-e-te-lenduarve/

Në lidhje me aksidentin është njoftuar prokurori i shtetit.

“Me urdhër të prokurorit, personi i dyshuar (për aksidentin) po mbahet në ndalim policor”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Lirije Podrimaj.

KALLXO.com raportoi për këtë aksident.

https://kallxo.com/lajm/foto-aksident-i-rende-ne-malisheve/