Policia jep detaje për aksidentin në autostradën Prishtinë-Ferizaj

Një person ka pësuar lëndime në aksidentin në të cilin janë përfshirë dy automjete në autostradën “Arbën Xhaferi”, drejtimi Prishtinë-Ferizaj.

Për këtë aksident raportoi pak më parë KALLXO.com

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00.

“Sonte rreth orës 20:00, në autostradën “Arbën Xhaferi” drejtimi Prishtinë-Ferizaj, kilometri 28, është raportuar për një aksident trafiku. Njësitet kompetente policore për kontroll dhe menaxhim të autostradës i;u kanë përgjigjur rastit dhe pas arritjes në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se në aksident janë përfshirë dy automjete me targa vendore, përderisa një person i lënduar ka kërkuar ndihmën mjekësore”- ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë.

Ai tha se në vendin e ngjarjes njësiti i hetimeve në kuadër të njësisë për kontroll dhe menaxhim të autostradës ka kryer procedurat e nevojshme dhe hetimet e tjera lidhur me shkaktarët e aksidentit.

Tutje, Hoxha u bëri thirrje vozitëseve të kenë kujdes gjatë ngasjes së makinave dhe shpejtësinë ta përshtasin me kushtet në rrugë.