
Aksident - foto ilustruese
Policia jep detaje për aksidentet me fatalitet që ndodhën të mërkurën
Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me dy aksidentet me fatalitet që ndodhën, më 12.02.2025, në Suharekë dhe në Prizren.
Në fshatin Carralevë të Suharekës, në aksident u përfshinë një autobus dhe një veturë, teksa mbeti i vdekur ngasësi i veturës.
“Si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur midis një veture dhe një autobusi, një person, mashkull kosovar, drejtuesi i automjetit, ka humbur jetën – vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.” – tha Policia në Raportin 24 orësh.
Pak orë më vonë vdiq edhe një person tjetër, si pasojë e një vetaksidenti në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova”, në dalje për Prizren.
“Si pasojë e një vetaksidenti trafiku ka humbur jetën drejtuesi i veturës së përfshirë në aksident (mashkull kosovar). Si dhe, lëndime të rënda ka pësuar një person tjetër. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.” – sqaroi Policia.
Sipas Policisë, me vendim të Prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.