
Ushtarët e KFOR-it të lënduar në Zveçan, Pamjet: KALLXO.com
Policia: Jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zhvillimet e djeshme në veri
Policia e Kosovës ka thënë se situata në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan është e brishtë por e qetë.
Protesta e qytetarëve pranë objekteve komunale në këto tri komuna po vazhdon edhe sot.
Policia ka deklaruar se dje për shkak të dhunës së shfaqur nga protestuesit e grupet kriminale situata është përshkallëzuar dhe ka degraduar deri në rrezikimin e jetës së njerëzve duke përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.
Organet e rendit kanë bërë të ditur se ata po vazhdojnë angazhimin për ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave ndërsa kanë theksuar se po hetojnë rastet në lidhje me zhvillimet e djeshme.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime.
Dje së paku 25 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar pas përleshjeve me protestuesit në Zveçan.
Protestuesit kanë hedhur mjete shpërthyese në drejtim të KFOR-it.