Foto: AFP/REL

Policia italiane godet organizatën e fuqishme mafioze Ndrangheta

Policia italiane tha të enjten se ka arrestuar 334 persona, përfshirë një zyrtar të lartë policor dhe një ish-deputet, në një operacion të madh kundër organizatës së krimit të organizuar – Ndrangheta.

Kjo organizatë konsiderohet si grupi më i fuqishëm mafioz i Italisë, raporton AFP.

Rreth 2.500 policë si dhe parashutistë të ushtrisë morën pjesë në operacion.

Disa prej të dyshuarve u arrestuan në Gjermani, Zvicër dhe Bullgari përmes urdhër-arrestit evropian.

“Disa nga shefat e mafisë e dinin se operacioni ishte planifikuar për nesër (e premte), kështu që ne duhej ta kryenim atë 24 orë përpara, gjë që paraqiste një problem të madh logjistik”, tha prokurori, Nicola Gratteri, në një deklaratë.

Policia konfiskoi prona në vlerë 15 milionë euro.

Shtatëdhjetë nga të arrestuarit po mbahen në arrest shtëpiak.

Ministrja e Brendshme e Italisë, Luciana Lamorgese, e vlerësoi operacionin si “një goditje shumë të fortë për organizatën Ndrangheta”./REL