Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia inicion rast hetimi kundër Shpejtim Bulliqit, për lëndim të lehtë trupor

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, po dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person në Podujevë.

Rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor ndërsa viktima ka pranuar edhe tretman mjekësor. Në raportin ditor të Policisë së Kosovës thuhet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 9 e 35 të mëngjesit në rrugën “19 Qershori” në Podujevë.

“Viktima mashkull kosovar ka njoftuar se derisa ishte duke kërkuar ndihmë mjekësore për nënën e tij në shtëpinë e shëndetit në Podujevë, nga i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se është sulmuar verbalisht e fizikisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.

KALLXO.com mëson se kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të intervistohet nga policia në cilësinë e të dyshuarit.

Gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka raportuar në lidhje me pretendimet e qytetarit për dhunë fizike nga Bulliqi.

Ky i fundit nuk i është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve të KALLXO.com, për të dhënë versionin e tij rreth ngjarjës.