Policia identifikon një veturë të falsifikuar që po hynte në Kosovë nga Shqipëria

Policia e Kosovës ka identifikuar një veturë të falsifikuar që po hynte nga Shqipëria në Kosovë.

Policia bën të ditur se identifikimi u bë pasi vetura u përzgjodh për kontroll të detajuar.

“Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni Policor Kufitar – Vërmicë- me datë 10.08.2022 rreth orës 15:00, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta në hyrjen nga Shqipëria për në Kosovë ka ndaluar një veturë të tipit Audi A3, me targa të Shqipërisë me drejtues D.K viti i lindjes 1989 shtetas i Shqipërisë. Vetura është përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë për kontroll më të detajuar” – thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Policia në bashkëpunim me FRONTEX pas verifikimit të kryer ka rezultuar se ka ndërhyrje te numri identifikues i veturës dhe ndërhyrje mekanike në numrin e shasisë së automjetit.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e FRONTEX, të cilët janë me mision në PKK Vërmicë, kanë bërë verifikimin më të detajuar të automjetit dhe pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ka ndërhyrje tek numri identifikues i veturës dhe dyshohet se janë bërë nderhyrje mekanike në numerin e shasisë së automjetit, si rrjedhojë vetura dyshohet të jetë e falsifikuar”, thekson më tej Policia në komunikatë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka udhëzuar që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa lënda për hetim i është dorëzuar njësitit të autokrimeve për hetime dhe procedim të mëtejmë.