Zyrtarët policorë në veri, Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

Policia i mohon akuzat e protestuesve serbë se 'u keqtrajtuan' në stacion policor

Pretendimet e protestueve serbë se Policia e Kosovës i ka keqtrajtuar të miturit të cilët u arrestuan pasi që dyshoheshin se kanë sulmuar disa të rinj shqiptarë, i ka hedhur poshtë shefi i operativës rajonale në Mitrovicë të Veriut, Petrit Fejza.

“Jo. Ne themi jo. Janë kamerat në të gjitha anët”- the Fejza për KALLXO.com.

Ai shtoi se protesta kaloi e qetë dhe pa incidente.

“Ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre”- shtoi ndër të tjera Fejza.

Çka ndodhi sot?

KALLXO.com raportoi se më 08.03.2025 me fillim nga ora 11:00 disa qytetarë serbë janë mbledhur në qytetin e Mitrovicës së Veriut në shenjë proteste me pretendimin se u keqtrajtuan disa të rinj nga Policia e Kosovës kur u arrestuan pas një përleshje me të rinj shqiptarë.

Protestuesit marshuan nga Stacioni policor në Mitrovicën e Veriut drejt sheshit “Car Llazar”.

Marshi po printe me një flamur serb. Në sheshin “Car Lazar” u bashkangjiten edhe qytetarë të tjerë serbë duke rritur kështu numrin e protestesve.

Me flamur serb e duke iu fishkëllyer e brohoritur zyrtarët policorë, protestuesit serb vazhduan marshimin në drejtim të Urës së Ibrit.

“Pse s’po na ndihmoni”- ishin fjalët me të cilën qytetarët serbët i drejtoheshin zyrtarit të KFOR-it, ndërsa ky i fundit përgjigjej se “ne bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës dhe interesi ynë i përbashkët është që të ruajmë paqen”.

Protesta përfundoi rreth orës 11:52 ku protestuesit nga Ura e Ibrit u ngjitën drejt sheshit “Car Llazar”.

Arrestimet e të miturve në Mitrovicë të Veriut

Një grup prej tre-katër të miturve dyshohet se kanë sulmuar disa të rinj shqiptarë në rrugën “Sutjeska” në Mitrovicë të Veriut, më 06.03.2025.

“Fillimisht janë marrë 4 persona si të dyshuar por 3 prej tyre janë liruar pas verifikimit të kamerave. Policia është duke punuar për të identifikuar edhe personat e tjerë të involvuar”- kishte thënë shefi i Operativës së Policisë Rajonale Mitrovicë – Veri, Petrit Fejza më 06.03.2025.

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë, 07.03.2025, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë lidhur me rastin e përleshjes e cila ka ndodhur më 06.03.2025 rreth orës 21:00 në Mitrovicë të Veriut, kur ishin shoqëruar në stacion policore 4 persona si të dyshuar mirëpo pasi që është vërtetuar se 3 prei tyre nuk kishin të bëjnë me rastin ata ishin liruar menjëherë ndërsa njëri nga ta është intervistuar si i dyshuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Protestohet në Mitrovicë të Veriut, thonë se pati ‘keqtrajtime’ nga Policia e Kosovës