Ilustrim

Policia i gjeti armë në çantën e librave një nxënësi në Malishevë

Një nxënësi nga Gjimnazi “Hamdi Berisha” në Malishevë gjatë ditës së djeshme i është gjetur një armë në çantën e tij të librave.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Xharkaj.

“Më 26 janar 2022, rreth orës 09:00 të mëngjesit në Gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë gjatë inspektimit të një klase në çantën e librave të të dyshuarit- të miturit, nxënës i kësaj shkolle, është gjetur një armë zjarri e llojit EKOL Special 99, cal.9 mm me një karikator dhe tre fishek adekuat për të njëjtën armë”, ka thënë ai.

Sipas Xharkaj i dyshuari është shoqëruar në Stacionin policor në Malishevë ku në prezencë të prindit dhe avokatit mbrojtës i është marrë deklarata me shkrim.

“Arma e zjarrit së bashku me dëshmitë tjera është konfiskuar, është informuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda, i cili ka udhëzuar të iniciohet procedurë penale për armëmbajtje pa leje, si dhe i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt”, ka thënë tutje ai.