Policia në veri - 28.05.2019. Foto: Kallxo.com

Policia i demanton raportimet e mediave në Serbi për arsyen e aksionit

Policia e Kosovës ka njoftuar edhe njëherë se aksioni i sotëm në veri të Kosovës ka të bëjë me kontrabandën, duke i demantuar raportimet e mediave në Serbi.

“Përmes kësaj shkrese zyrtare dëshirojmë të njoftojmë opinionin e gjerë dhe mediat se operacioni policor i cili po realizohet sot në rajonin e Mitrovicës Veri dhe Mitrovicës Jugu, nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish politikanit  z. Oliver Ivanoviç, siç potencohet në disa media serbe dhe lokale”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Tutje, Policia ka shpjeguar se këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe dhe Policisë së Kosovës e i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara .

Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër, si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës një zyrtar policor është plagosur por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë.

Institucionet kompetente do të vazhdojnë t’iu mbajnë të informuar edhe përmes konferencës së planifikuar.