Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Policia i bën thirrje drejtuesve të makinerive bujqësore për kujdes në trafik

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kohës kur voziten makineritë bujqësore në rrugë.

Sipas të dhënave të policisë, brenda një viti në Kosovë ndodhin më shumë se 100 aksidente, ku përfshihen makineritë bujqësore.

“Në vendin tonë çdo vit ndodhin mbi 100 aksidente me mjete motorike ku përfshihen makineritë bujqësore”, thuhet në postimin e Policisë së Kosovës.

Disa nga këshillat që ka dhënë Policia e Kosovës janë që të mos vozisin gjatë kohës kur shoferët janë nën ndikimin e alkoolit, të mos qëndrojnë në anësoret e makinerive, të mos përdoret telefoni gjatë vozitjes, të mos vozisin gjatë kohës që shoferët janë të lodhur.

Sipas Policisë së Kosovës, që të ketë siguri në trafik, këta drejtues, po ashtu, duhet që në momentin kur e shohin si të mundshme të përcjellen nga një mjet përcjellës, të përdorin mjete reflektuese, të shmangen nga trafiku i dendur dhe të shmangen nga vozitja në mot të ligë.

Ata kanë bërë të ditur edhe katër rregullat që vozitësit e makinerive bujqësore duhet t’i ndjekin.

“Janë që gjithmonë të respektojnë rregullat e trafikut, të përdorin mjete reflektuese dhe trekëndshin e sigurisë, të pastrohen dhe zëvendësohen materialet reflektuese dhe që të jenë të dukshëm gjatë gjithë kohës”, ka theksuar policis.