Policia i bën gati autoblindat për protestën kundër shtrenjtimit të rrymës (pamje)

Policia e Kosovës është përgatitur me autoblinda dhe topa të ujit pas paralajmërimit për protestë nga Partia Socialdemokrate kundër shtrenjtimit të rrymës. 

KALLXO.com ka siguruar pamje të automjeteve të rëndë të Policisë së Kosovës, të cilat janë para në oborrin e Policisë së Kosovës.

Protesta sipas paralajmërimeve do të mbahet sot (e shtunë) në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

IMG_6099

“Qeveria ka marrë anë. Është rreshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie. Të shtunën, më 29 janar, në orën 14:00, nisemi nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të protestuar kundër këtij shtrenjtimi të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin në Facebook.

Më 26 janar është protestuar për të njëjtën arsye në sheshet e Prishtinës.

Më 31 janar 2022 përfundon faza e konsultimit publik për propozimin e ZRrE-së për vendosjen bllok-tarifës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

IMG_6099

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Sot protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës