Policia heq 21 kamera sigurie në lagjet problematike të Shkodrës

Policia e Shkodrës çmontoi 21 kamera sigurie të vendosura në mjedise publike nga grupe të dyshuara kriminale që kontrollonin përmes tyre lëvizjet e forcave të rendit.

21 kamera sigurie që sipas policisë përdoreshin nga grupe kriminale për të vëzhguar lëvizjet e policisë së Shkodrës janë çmontuar nga uniformat blu. Operacioni u zhvillua në lagjet Dobraç dhe Kiras.

“Kamerat e vendosura nga persona apo grupe kriminale kishin për qëllim edhe marrjen e informacionit për lëvizjet e policisë”, thuhet në njoftimin zyrtarë të Policisë së Shkodrës.

Siç raportoi në njoftimin zyrtar nga policia e  Shkodrës aksion u zhvillua pas informacioneve në të cilat bëhej me dije se ishin vendosur disa kamera në shtyllat elektrike në dy segmente rrugore nga “5 Heronjtë” deri në bypasin e Shkodrës dhe nga “5 Heronjtë” deri tek rreth rrotullimin e Dobraçit.

Aksioni i Policisë së Shkodrës, është mbështetur nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, strukturat hetimore të DVP Shkodër kanë çmontuar dhe sekuestruar 21 kamera të lidhura nëpërmjet celularit, nga të cilat 8 të instaluara në vende dhe sheshe publike, në aksin rrugor nga rreth rrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rreth rrotullimi i parë i bypasit të Shkodrës, ndërsa 13 të tjera të instaluara në aksin rrugor nga rreth rrotullimi “5 Heronjtë” deri te rreth rrotullimi i Dobraçit.

Këto dy zona i përkasin respektivisht dy lagjeve më problematike të Shkodrës, të lidhura me disa nga ngjarjet e rënda kriminale të viteve të fundit. Në lagjet Kiras ku banojnë familjet Lici dhe Bilali, si dhe në lagjen Dobraç ku banon familja Bajri.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me Ligjin 9887, datë 10.03.2008 “Mbrojtja e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.