Policia e Kosoves (PK). Foto: Kallxo.com
Policia harton plan operativ për mbarëvajtje të procesit zgjedhor më 9 shkurt
Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen me datën 09.02.2025.
Policia ka bërë të ditur se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor “është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 10.01.2025.
Më tej, organet e rendit njoftojnë se ky plan operativ ka paraparë katër faza:
1. Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese;
2. Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore;
3. Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z);
4. Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
“Faza e parë tani veçse është realizuar, përderisa tani jemi në fillim të zbatimit të fazës së dytë, për të vazhduar sipas planit me fazat e tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor”- njofton më tej policia.
Sipas planifikimeve policore, qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është:
- Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
- Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.
- Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
- Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.
“Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, ka caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit”- theksohet në njoftim.
Po ashtu, sipas njoftimit, janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.
Për fund, policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Numrat e partive politike për Zgjedhjet e 9 shkurtit