Policia hap tender për uniforma të Njësisë Speciale - FOTO

Policia e Kosovës i ka ndarë 637 mijë euro për blerjen e uniformave operacionale për zyrtarët policorë, por ka pranu 4 ankesa para dorëzimit të ofertave, gjatë fazës së parë të tenderimit.

Ankesat e katër operatorëve ekonomik, që janë dorëzuar në periudha të ndryshme, pretendojnë që Policia e Kosovës e ka kufizuar konkurrencën duke u fokusuar në uniformen UF PRO.

Policia e Kosovës, në shqyrtimin e kërkesave për rishqyrtim, ka dhënë përgjigjen e njëjtë për gjitha bizneset sa i përket pretendimit për kufizim të konkurrencës duke këmbëngulur që nuk e kanë shkelur nenin 28 të Ligjit të Prokurimit.

Ata kanë thënë se operatorët janë të lirë të ofertojnë me produkte që i plotësojnë kriteret minimale por edhe ato që i tejkalojnë ato.

“Hartuesit e specifikacioneve teknike nuk janë fokusuar vetëm në uniformen UF PRO siç pretendojnë OE, por cilido që ofron uniformë me specifikacione të njëjta apo që i tejkalojnë specifikat e kërkuara dosjen e tenderit i plotëson kushtet për furnizim me uniformë operacionale”, thuhet në vendimin e Policisë së Kosovës për të refuzuar kërkesën për rishqyrtim të njërës prej kompanive që ishte ankuar, Jatex Gjakovë.

Tenderi për blerjen e uniformave operacionale është hapur me 26 nëntor, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ishte caktuar me datë 23 dhjetor 2021.

Me datën 20 dhjetor, Policia e Kosovës e kishte pezulluar aktivitetin e prokurimit pasi kishte pranuar ankesa nga dy biznese: OE “BE NEË LLC” dhe OE “Sabit Mjekiqi B.I”.

Policia e Kosovës i ka refuzuar ankesat e dy operatorëve, ndërsa ka thënë se nuk kanë kryer asnjë shkelje të cilat kanë potencuar kompanitë e lartpërmendura.

Me datë 5 janar, Policia e Kosovës sërish ka pezulluar tenderin për uniforma operacionale, pasi kishte pranuar edhe dy ankesa, njëra nga kompania “Exim Jatex sh.p.k” dhe “Tekno ing consulting shpk”.

Edhe këto dy ankesa, Policia e Kosovës i ka refuzuar. Pas pezullimeve të tenderi që janë bërë, policia e Kosovës e ka shtyrë afatin e dorëzimit të ofertave. Tashmë me operatorët ekonomikë kanë kohë deri me datë 18 janar të dorëzojnë ofertat e tyre në tenderin e hapur nga Policia e Kosovës.

Kërkesat e policisë për uniformat operacionale:

Policia te lista e kërkesave ka njoftuar se do të blej 750 copë pantallona, 750 copë këmisha, 750 copë xhaketa dhe 750 kapela, të gjitha këto për njësitet speciale operacionale.

Policia e Kosovës ka dhënë sqarime shtesë gjatë përgjigjeve që i ka dhënë për operatorët ekonomikë. Ata kanë sqaruar se ngjyra e uniformave speciale duhet të ketë ngjyrë të zezë, kaltër e mbyllur, të gjelbër, ngjyrë krem, multi kam ose kamuflazh dhe ngjyra të tjera.

Disa nga tiparet që duhet të kenë pantallonat operacionale në tenderin e Policisë së Kosovës janë që të njëjtat të kenë rrip të integruar me sistem bel/fex, të kenë xhepa dore me rrjetë ajrimi dhe xhepa shtesë për thikë, xhepa të fshehur sigurie, xhepa shtesë për gjunj të përforcuar e disa tipare të tjera.

Pantollonat operacionale, Foto: Modeli i publikuar nga Policia në E-prokurim

Për këmisha apo bluzat policia ka thënë se duhet të përmbajnë tiparet që të jenë me zingjir të gjatë në pjesën përpara, të kenë mëngë të lehta për tu mbështjellë, xhepa me rrëshqitje për jastëkë të bërrylit, materiali të jetë pambuk, polister në disa zona dhe madhësia të jetë L.

Këmisha operacionale, Foto: Modeli i publikuar nga Policia në E-prokurim

Xhaketat duhet të përmbajnë mbrojtje termike të klanit të lartë, të jetë rezistent ndaj erës dhe ujit, të jetë efikas ndaj lagështisë, të ketë dy xhepa përpara, zingjir të plotë si dhe të ketë edhe bërryla të përforcuar, të ketë dy shtresa rezistente ndaj erës, e ujit, me një pëlhurë për fytyrë të materialit polister.

Xhaketa operacionale, Foto: Modeli i publikuar nga Policia në E-prokurim

Policia do të blej edhe 750 copë kapela si në fotografinë më poshtë.

Kapela, Foto: Modeli i publikuar nga Policia në E-prokurim