Foto: Ilustrim
Policia hap rast për korrupsion në Qendrën e Pensioneve në Prizren
Policia e Kosovës sot ka hapur një rast për korrupsion në Qendrën Rajonale të Administratës së Pensioneve në Prizren nën dyshimin për veprën penale – dhënie e ryshfetit.
Sipas njoftimit të Policisë, paraditen e së mërkures ka pranuar një thirrje për dyshim të dhënies së ryshfetit në Qendrën e Pensioneve në Prizren.
Hetuesia ka reaguar dhe ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është njoftuar se tashmë i dyshuari me inicialet L.N. 82-vjeçar, i nacionalitetit serb, dhe me banim të përkohshëm në Serbi, ishte paraqitur për pension.
“Mirëpo përveç qe ishte paraqitur për veten e tij kishte paraqitur edhe dokumente për bashkëshorten e tij se ishte e sëmurë dhe se nuk mund të paraqitet fizikisht për shkak te gjendjes se rëndë shëndetësore, ndërsa punëtori i administratës se pensioneve kishte regjistruar paraqitjen e tij” – thuhet në komunikatë.
Tutje, dyshohet se pasi që i njëjti ishte larguar, ishte kthyer përsëri në sportel dhe kishte lënë një zarf me 50 euro dhe pa folur fare ishte larguar nga objekti.
Policia bën të ditur se një qytetar e kishtë vërejtur këtë dhe ka lajmëruar Policinë.
“I dyshuari dhe personi zyrtar janë shoqëruar në polici, konkretisht në zyrën e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike. Për rastin është njoftuar prokurori i kujdestar i cili ka udhëzuar qe rasti të hetohet në procedure të rregullt” – ka bërë të ditur Policia e Kosovës.