Policia hap rast ndaj personit që tentoi ta godasë me mjet të fortë shoferin e veturës tjetër në Suharekë

Policia ka hapur rast ndaj personit të dyshuar për sulm, pasi të mërkurën një mosmarrëveshje në komunikacion dyshohet se kishte çuar në përleshje fizike mes disa personave, nga dy vetura të ndalura në rrugë në Suharekë.

Në pamjet e dërguara në KALLXO.com nga një qytetar, shihej një person duke tentuar ta godasë me mjet të fortë shoferin e veturës tjetër.

Policia e Kosovës ka reaguar duke thënë se pas qarkullimit të videos në media, kanë filluar hetimet lidhur me rastin.

Policia ka thënë se gjatë hetimeve, kanë identifikuar të dy personat e përfshirë në rast, viktimës dhe të dyshuarin.

Personi i dyshuar, sipas Policisë, e ka pranuar veprën penale në tërësi, ka shprehur keqardhje dhe është penduar.

Tutje është thënë se pas intervistimit është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili është informuar në lidhje me rastin dhe pas konsultimit kundër të dyshuarit është hap rast penal “Sulmi”, rast i cili do të procedohet në procedurë të rregullt.

Një person tenton ta godasë me mjet të fortë shoferin e veturës tjetër në Suharekë – VIDEO