Policia gjobit 223 persona në një lokal për thyerjen e masave anti-COVID

Policia e Kosovës ka gjobitur 223 persona në një lokal në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.

Pronari dhe pjesëmarrësit në këtë organizim janë gjobitur për thyerje të masave anti-COVID.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci ka thënë se Policia e Kosovës ka pranuar informacionin për organizimin në këtë lokal dhe që nga ora 20:00 ka filluar vëzhgimin e lokalit.

“Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë përveç përgjegjësive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike ka ushtruar edhe autorizimet e saj për ngritjen e nivelit të respektimit të masave anti COVID. Në kontekstin e kësaj policia dhe inspektorët kompetent, kanë pasë informatë për organizim në lokalin e apostrofuar dhe që nga ora 20:00 pas vëzhgimit dhe verifikimit të informatës kanë ndërmarrë veprime konkrete në atë lokacion ku përveç pronarit janë shqiptuar edhe gjoba për pjesëmarrësit ( 223 gjoba)”, ka përfunduar Borovci.