Foto: Komuna e Mitrovicës së Veriut

Policia gjeti një veturë të Komunës së Mitrovicës së Veriut, nuk i dihej vendndodhja për më shumë se 1 vit

Për më shumë se një vit, Komuna e Mitrovicës së Veriut po kërkonte një veturë e cila është pasuri e komunës e që nuk ndodhej në atë objekt.

Të njëjtën e gjeti Policia e Kosovës më 16.11.2024.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi shefi i kabinetit të kryetarit të kësaj komune, Visar Syla i cili tha se e njëjta është gjetur tek një parking në Mitrovicë të Veriut.

“Vetura është pasuri e komunës. Edhe komuna ka bërë kërkesë në polici qe një vit e gjysmë me gjet se nuk e ka pasë në posedim. Edhe është gjet sot te parkingu te “Sutjeska”. Ardiana Hoxhiq ka pretendu që ia ka jep spitali në shfrytëzim por çelësat janë gjet te shoferi i Goran Rakiqit. Tash atë veturë e ka marr komuna në pronësi se është pasuri e komunës” – tha Syla për KALLXO.com.

Gjetjen e veturës e konfirmoi edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Një veturë e kanë lyp komuna. Sot e kemi gjet”- tha Elshani për KALLXO.com.