Policia gjeti 18 gëzhoja në festën e përkrahësve të PDK-së në Skenderaj

KALLXO.com ka raportuar të dielen se pas zgjedhjeve lokale, përkrahas të shumtë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë festuar fitoren e tyre në Skenderaj, të shoqëruar edhe me të shtëna me armë zjarri.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku  kanë gjetur dhe sekuestruar 18 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti vazhdon të hetohet.

Disa minuta më parë KALLXO.com raportoi se Policia e Kosovës ka arrestuar një 55-vjeçar, pasi dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri, duke festuar pas zgjedhjeve lokale, në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit si provë materiale i është sekuestruar një armë e llojit “Zastava” dhe një karikator me 5 fishekë.

Personi është intervistuar në cilësi të të dyshuarit, ndërsa pas procedurave intervistuese sipas udhëzimit të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Gjithashtu, të dielen u raportua një 33-vjeçar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë gjatë kësaj feste.

Në këtë LINK mund të shihni mbetjet e gëzhojave të plumbave në sheshin “Adem Jashari” pas festës së PDK-së.