Policia gjermane ilustrim; Pixabay
Policia gjermane në kërkim të personit të dyshuar për vrasjen e 3 njerëzve në një festival
Policia gjermane e ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Solingen, pasi tre njerëz u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me thikë në një festival të premten vonë.
“Policia është duke e kryer një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e dorasit”, thuhet në njoftimin e policisë gjermane.
Forca të mëdha policore, përfshirë njësi speciale, janë mbledhur përreth qendrës së qytetit Solingen.
“Edhe viktimat, edhe dëshmitarët janë duke u marrë në pyetje”, tha policia.
Sulmi ndodhi të premten pas orës 21:00 kur sulmuesi i theri me thikë disa persona në një shesh në qendër të qytetit.
Policia tha se i dyshuari është në arrati dhe se autoritetet e sigurisë dinë shumë pak informata për të.
Sipas policisë, sulmi u krye nga një sulmues i vetëm.
“Festivali i Shumëllojshmërisë”, i cili shënon përvjetorin e 650-të të qytetit, nisi të premten dhe duhej të mbahej deri të dielën.
Solingeni i ka rreth 160.000 banorë dhe ndodhet afër qyteteve të mëdha Këln dhe Dyseldorf.
“Ne jemi thellësisht të tronditur nga sulmi brutal në festivalin e qytetit në Solingen”, tha ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Nancy Faeser, në një komunikatë të shtunën.
“Autoritetet tona të sigurisë janë duke bërë gjithçka për ta kapur dorasin”, shtoi ajo.
Gjermania është e shqetësuar nga një rritje e sulmeve të dhunshme me thikë në vend dhe Faeser së fundmi propozoi ashpërsimin e ligjeve për armët. Ajo propozoi që të lejohet bartja në publik e thikave me teh deri në 6 centimetra të gjatë, në vend të thikave me teh 12 centimetra të gjatë që lejohet momentalisht./REL