Foto: Denis Sllovinja

Policia gjermane heton AfD-në për shpërndarje të broshurave që përngjajnë me “biletat e deportimit”

Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është përfshirë në një kundërthënie pasi ka shpërndarë broshura që përngjajnë me “biletat e deportimit” në qytetin Karlsruhe, ka raportuar të martën (14.01.2025) televizioni “Euronews”.

Policia ka nisur një hetim ndaj degës lokale të partisë AfD në këtë qytet lidhur me posterët si “bileta deportimi” që shkaktuan kundërthënie para fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 23 shkurtit.

Broshurat, që bazohen në bileta aeroplani, po hetohen me dyshimin e nxitjes së urrejtjes racore, ka bërë të ditur policia për hetime penale në Karlsruhe. Ato paraqesin një biletë fluturimesh me logon e AfD-së në të me hollësi të manipuluar fluturimesh, me mbishkrimin “Ngritjet: Gjermani” dhe “destinacioni: vendi i sigurt i origjinës”.

Në broshura, “AfD” është si porta e terminalit për nisje të fluturimeve, dhe në dy fjalitë pasuese shkruan: “Vetëm riemigrimi mund ta shpëtojë Gjermaninë” dhe “Edhe në vendlindje është mirë”.

Mesazhet dhe broshurat kanë shkaktuar ankesa në mesin e publikut dhe të anëtarëve të partisë majtiste, E Majta, që kanë kërcënuar se do ta raportojnë degën e AfD-së për nxitje të urrejtjes.

E Majta ka argumentuar se broshurat ishin shpërndarë qëllimisht në kuti postash të shtëpive me familje me të kaluar emigrante. Ato janë gjykuar si ksenofobe dhe me synim për të krijuar ndasi dhe urrejtje ndërmjet grupeve të ndryshme.

Dega e AfD-së në shtetin e Baden-Vyrtembergut ka ngulmuar se broshurat kishin për qëllim të gjithë votuesit me një hise të madhe të tyre që jetojnë në Karslruhe, ka raportuar agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Mediat gjermane kanë spikatur si fushatë të ngjashme me atë që ishte shtyrë përpara edhe prej Partisë Nacionaldemokratike të Gjermanisë (NPD), e riemërtuar si Heimat, më 2013.

Atëherë, partia e djathtë ekstreme kishte shpërndarë bileta fluturimesh me mbishkrimin “Nga Gjermania – destinacioni vendlindja” në përpjekje për t’i dekurajuar kandidatët me një të kaluar emigrante që të garonin për deputetë. /“Euronews”

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com