Foto: Policia e Kosovës

Policia gjen sërish arsenal armësh në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka zbuluar sërish arsenal armësh në Zubin Potok të martën, më 03.12.2024.

Të fshehura në një kotec pule, nën kashtë dhe në disa fuçi të mbushura me drithëra, janë zbuluar disa qese me armë, municion, antiplumb dhe pajisje të tjera ushtarake.

Policia vlerëson se siguria në nivel vendi është e qetë, megjithatë në veri është situatë e brishtë.

Pas sulmit terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit”, Policia thotë se angazhimet dhe masat shtesë po vazhdojnë në veri me qëllim që banorëve të asaj zone t’u ofrohet siguri, të parandalohen aktet e mundshme kriminale e terroriste.

Në bastisjen e sotme janë gjetur konkretisht: një armë “AK-47” e demontuar, shtatë karikatorë për “AK-47” me nga 30 fishekë, 12 fishekë dhe të zbrazët, pjesë të ndryshme për armë me një kuti plastike, municion të kalibrave të ndryshëm, një helmetë ushtarake, dhjetë rripa për uniforma ushtarake, një kapelë ushtarake, dy çanta ushtarake, një shall kamuflazhi për snajper, një këllëf ushtarak për karikator të armës së gjatë, disa jelekë taktikë ushtarakë, prodhim kinez, disa uniforma, xhaketa, këmisha, pantallona, rripa dhe kapela ushtarake me emblema e mbishkrime të llojeve të ndryshme, përfshirë ato ruse e të tjera.

Një shpërthim i fuqishëm i shkaktuar nga një sulm terrorist e kishte dëmtuar kanalin e ujit të “Ibër- Lepencit” ka lënë pa ujë disa qytete dhe ka rrezikuar furnizimin me energji elektrike e ngrohje.

Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të “Ibër- Lepencit” në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.

“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.”– kishte thënë Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin Ibër- Lepenc në komunën e Zubin Potokut.

Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

“Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër- Lepencit, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në sitemin energjetik të Republikës së Kosovës”- është shprehur Hoxha.

Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30h.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër- Lepencit, kanë arritur që të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian. Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, e ka dënuar po ashtu shpërthimin në Zubin Potok.

Arrestimet në lidhje me sulmin në Ibër Lepenc

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Komunës së  Zubin Potok, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër- Lepencit’.

“Me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”-  nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”- nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1 nën par. 1.8 të KPRK, “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të pa autorizuar të armëve”- nga neni 366 par 2 lidhur me par. 1  të KPRK”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka thënë se dy të shoqëruarëve iu është caktu masa e ndalimit.

“Me vendim të prokurorit, dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar. Për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist. Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq, i cili ka thënë se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.

Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij u gjetën edhe armë e municion, për ç’arsye Prokuroria po e ndjekë edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit.

Sipas Policisë, i arrestuar është me personi me inicialet J. V. nën dyshimin se mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër- Lepencit.

“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, më datën 01.12.2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”– thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit J.V., në të cilën janë gjetur e sekuestruar si dëshmi katër granate dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës AK-47, një karikator i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.