Foto: Policia e Kosovës
Policia gjen në bjeshkët e Deçanit katër serra të cilat kishin qenë të mbjella me marihuanë
Në bjeshkën e Roshkodolit në Deçan janë gjetur sot, më 29.07.2024, katër serra në të cilat kishin qenë të mbjella bimë të dyshuara narkotike të llojit marihuanë.
Sipas Policisë, bimët narkotike dyshohet se ishin djegur nga persona të dyshuar.
“Në bazë të shikimit të vendit të ngjarjes dyshohet se kanë qenë të mbjella rreth 300 bimë narkotike të madhësisë nga/deri në 1-2m gjatësi”- thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë marrë si prova materiale mostra të bimëve narkotike, një armë “AK-47” me 32 copë fishekë, një fishek i kalibrit për armë të gjuetisë.
Tutje thuhet se provat materiale të bimëve narkotike që kanë mbetur të padjegura, pas konsultimit me prokurorin përkatës janë asgjësuar në vendin e ngjarjes.
Ndërsa pas konsultimit me prokurorin kompetent është hapur rasti për veprat – kultivim i bimëve narkotikëve dhe – posedim i paautorizuar i armëve dhe municioneve.
“Në lidhje me rastin meqenëse zona ndodhet afër kufirit, është komunikuar edhe Policia Kufitare e Republikës se Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi, të cilat kanë aktivizuar njësitet e tyre në zonat përkatëse të shteteve të tyre”- thuhet në njoftim.