Policia gjen marihuanë në një veturë në kufirin Kosovë- Shqipëri

Sot rreth orës 11:20, zyrtarët kufitarë në Vërmicë kanë gjetur 15 qese najloni të mbushura me substancë narkotike, marihuanë në veturën e të dyshuarit E.L.

Sipas Policisë, zyrtarët policorë në kufi gjatë regjistrimit në sistem të automjetit “Seat” me targa lokale i cili ishte duke hyrë nga Shqipëria  në Kosovë, në koordinim me oficerët doganor, në pjesën e përparme tek motori i automjetit i kanë gjetur  15 qese najloni marihuanë, me peshë e cila dyshohet të jetë prej rreth 6kg.

Në lidhje me rastin është njoftuar drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik, njësia e forenzikës, dhe njësitet tjera relevante për trajtim dhe hetim të mëtejme të rastit.

Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, Shpërndarja, Transportimi, Prodhimi, Këmbimi, Ndërmjetësimi ose Shitja e paautorizuar e Substancave narkotike dhe psikotrope ose analoge”, ndaj të dyshuarit (E.L. viti i lindjes 1966).

Të gjitha veprimet e mëtejme ndaj personit të dyshuar, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent.