
Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com
Policia gjen granata dore dhe municion në Mitrovicë të Veriut - VIDEO
Policia e Kosovës ka konfiskuar mjete shpërthyese – granata dore, municion dhe mjete tjera të dyshuara në Mitrovicë të Veriut, më 17.01.2025.
Për këtë rast, Policia njofton se ka arrestuar të dyshuarin M.B. Fillimisht, Policia ka pranuar informatën se në një lokacion ka mjete të dyshuara.
Pas informacionit, Policia ka kryer disa kontrolle në një shtëpi dhe në objektet përcjellëse të saj.
Po ashtu, nga ky aksion, Policia thotë se janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës edhe kartela grafike (RIGAT) për prodhimin e kriptovalutave.
Policia ka bërë të ditur dëshmitë që janë gjetur dhe konfiskuar, të cilat janë: 4 (katër) mjete shpërthyese (granata dore M79), 8 (tetë) gaz maska me filtër dhe 2 (dy) filtër rezervë, 10 (dhjetë) USB, 1 (një) pajisje optike për snajper “tasco 6×40”, 1 (një) çantë me pajisje optike për armë (Bushnell), 1 (një) pelerin për snajper, 1 (një) krehër me pesë (5) fishekë për armë të gjatë, 1 (një) kuti me pesëmbëdhjetë fishekë për armë të gjatë 7.9mm, 99 (nëntëdhjetë e nëntë) fishekë për armë gjuetie, 2 (dy) fishekë të pistoletës, 2 (dy) telefona, 1 (një) sim kartel, 4 (katër) mbushës (adapter) për radiolidhje (motorolla), 1 (një) bateri dore, 1 (një) maicë e zezë me foto dhe mbishkrim (KOCOBCKИ BИTEZOBИ), 1 (një) shufër metalike, 1 (një) busull ushtarake; pajisje, dritë rotative për veturë, pajisje për pastrim të armëve, 1 (një) palë pranga me fotroll.
Sipas Policisë, i dyshuari M.B. në prezencën e avokatit mbrojtës është mbrojtur në heshtje.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të rastit me Aktvendim, të cilit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ky operacion pasqyron përkushtimin dhe përpjekjet tona për të garantuar sigurinë publike, për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë.” – ka thënë Policia.
Ky nuk është aksioni i vetëm që Policia e Kosovës ka konfiskuar mjete shpërthyese e kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave.