Policia gjen dhe shkatërron mbi 4 mijë bimë narkotike në Koshare

Policia e Kosovës ka shkatërruar 4 mijë e 50 bimë narkotike në Koshare.

Sipas njoftimit, para dy ditëve, zyrtarë të policisë kufitare në Gjakovë, kanë pranuar informacione se në rajonin e Koshares dyshohet se ka bimë narkotike të mbjella.

Pas pranimit të informacionit, policia ka filluar patrullimin në atë zonë dhe ka arritur të gjejë pesë plantacione të mbjellura me bimë të cilat dyshohet të jenë narkotik.

Policia kufitare ka njoftuar se në atë rajon ka gjetur 4 mijë e 50 bimë, gjatësia e të cilave ishte nga një metër deri në tri metra e gjysmë.

“Policia ka shkulur dhe ka shkatërruar (djegur) bimët e gjetura në atë lokacion. Për rastin është njoftuar Prokuroria për Krime të Rënda në Gjakovë dhe është iniciuar rasti ‘kultivim i bimëve narkotike, substancave psikotrope dhe analoge’, thuhet në njoftimin e policisë.