
Policia e Kosovës ekspozon armët, municionet, eksplozivin dhe uniformat ushtarake që u kapën në operacionin policor në veri, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Policia gjen armë, municion e eksploziv në veri, intervistohet një person
Policia e Kosovës ka ekspozuar armët, municionet, eksplozivin dhe uniformat ushtarake që u kapën në operacionin policor në fshatin Rodel të Leposaviqit.
Në konferencën për media, më 28.02.2025, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ende ka grupe e organizata terroriste në territorin e Kosovës.
“Serbia vazhdon të strehojë Millan Radoiçiqin, i cili është kupola e gjithë këtij organizimi, i cili mundohet që mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë t’i mbajë të gjalla, qoftë në Serbi, ashtu edhe në Kosovë” – tha Sveçla.
Kurse drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, potencoi se operacioni po vazhdon akoma teksa një person është duke u intervistuar në Policinë e Kosovës.
Në mesin e gjërave që u konfiskuan, sipas Hoxhës, një nga uniformat është e “Mbrojtjes Civile”.
“Në mesin e uniformave të konfiskuara, një prej uniformave është e ‘Mbrojtes Civile’, e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës. Ekziston mundësia që edhe dy armë janë diku”- përfundoi ai.
Një pushkë, kondak pushke, 19 fishekë për pistoletë, një çantë me 49 fishekë për armë të gjatë, një palë dylbi për snajper, 11 fishekë për armë gjuetie, një çantë me katër karikatorë të zbrazët, një pjesë për tytë, një kuti me vaj – ishin disa nga provat të cilat numëroi Hoxha se janë gjetur gjatë këtij aksioni.