Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia gjatë një jave sekuestroi 10 armë dhe i shqiptoi mbi 5 mijë gjoba

Policia e Kosovës gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme e aksione të ndara, ka realizuar 136 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 42 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime, etj.

Sipas njoftimit policor, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.

Gjatë periudhës së njëjtë, janë sekuestruar 10 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

“Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 5331 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor” – thuhet në njoftimin e Policisë më 26.08.2024.