Policia gjatë natës arrestoi të dyshuarin për plagosje në Istog

Orët e para të mëngjesit të sotëm një person ka pësuar plagë në pjesën e qafës pasi ishte qëlluar nga një person i dyshuar.

Policia me anë të një njoftimi ka sqaruar se mëngjesin e sotëm rreth orës 2:30 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Istog ka pasur të shtëna me anë zjarri.

I dyshuari sipas policisë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër i cili gjendej pranë shtëpisë së tij.

“Njësiti policor nga stacioni policor në Istog menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, është kontaktuar viktima në drejtim të të cilit kishte shtënë i dyshuari, me ç’rast viktima dyshohet se ka pësuar plagë në pjesën e qafës nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje në  njoftim thuhet se ka pasur edhe dëme materiale ku janë dëmtuar edhe xhamat e shtëpisë së viktimës.

“Policia ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes për të vazhduar me shikim, ndërsa viktima i shoqëruar nga policia është dërguar menjëherë me autoambulancë për ndihmë mjekësore, në QKMF në Istog, më pas sipas udhëzimeve mjekësore në Spitalin Rajonal në Pejë dhe sipas mjekëve ishte jashtë rrezikut për jetë”, thuhet tutje në njoftim.

Policia kishte ndërmarrë masat e menjëhershme dhe kishte arrestuar personin e dyshuar. Gjithashtu në njoftim thuhet se arma me të cilën dyshohet se është përdorur në rast është gjetur në veturën e të dyshuarit dhe është sekuestruar si provë.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit e hetimeve rajonale, për t’u sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Për rastin është informuar prokurori dhe me vendim të tij, personi i dyshuar ndalohet për 48 orë për veprën penale ‘vrasje në tentativë’.