Policia flet për arrestimin e 16 aktivistëve të PSD-së

16 aktivistë të Partisë Social Demokrate (PSD) janë shoqëruar për në stacionin policor pas aktivitetit “të paparalajmëruar” për shkrimin e grafitevë në sipërfaqen murale të stacionit policor Qendra. Aksioni PSD-së kishte për qëllim që të shfaqte “hipokrizinë e institucioneve” që gjobisin qytetarët e jo politikanët për shkelje të masave anti-COVID.

Lidhur me arrestimin për KALLXO.com ka folur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Sipas Policisë, përkundër faktit që këta persona paraprakisht janë këshilluar nga policia për veprimet e tilla të palejuara, ata duke shfaqur “vazhdimisht shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, (duke tërhequr pjesëtarët e policisë), shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare, kanë arritur të dëmtojnë muralet e stacionit policor me grafitet e tyre të vendosura aty”.

“Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor 16 prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare. Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinohen për veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Partia Social Demokrate ka reaguar pas arrestimit të disa aktivistëve të saj, derisa ishin duke e mbajtur një aksion simbolik para objektit të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

“Gjatë aksionit të sotëm simbolik për të shpërfaqur hipokrizinë e institucioneve të Kosovës karshi qytetarëve të saj, të cilët shqiptuan gjoba në vlerë prej 3 milionë eurosh për qytetarët e gati asnjë për tubimet e partive politike, aparati policor shtetëror ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar aktivistët e PSD-së”, ka bërë të ditur PSD.

PSD ka bërë të ditur edhe emrat e aktivistëve që janë arrestuar, duke kërkuar edhe lirimin e menjëhershëm të tyre.

“Kërkojmë urgjentisht që aktivistet dhe aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Leonard Shala, Gëzon Kastrati, Qëndrim Sahiti, Arbër Sejdiu, Drin Ahmeti, Gent Brahimi, Agron Kabashi, Veton Dragusha, Fatos Sahiti, Trim Gashi, Natyra Kuçi dhe Frashër Krasniqi të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë që iu është bërë nga policia”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Sipas tyre, kur zbatimi i ligjit është selektiv, ai ‘gjithmonë shkon në dobi të të fortit e në kurriz të të dobëtit’.

“Ligji është nxjerrë nga politikanët, të cilët janë të parët dhe pothuajse të vetmit që nuk po e zbatojnë dhe për këtë nuk ndëshkohen”, është thënë më tej.