Ilustrim

Policia e toleroi lokalin e muzikës në Podujevë të punonte për disa javë jashtë orarit

Një lokal i muzikës live në komunën e Podujevës është mbyllur mbrëmjen e kaluar anipse për disa javë ishte toleruar nga Policia që të punonte edhe pas orës 19:00.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme për një operacion dhe një bastisje që ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Sveqël në komunën e Podujevës.

Cak i këtij operacioni ishte një lokal nate që nuk kishte respektuar orarin e punës madje edhe ishte toleruar nga policia që të punonte edhe pas orës 19:00.

KALLXO.com mëson se Policia vazhdimisht kishte pasur informacione se ky lokal po thyente rregullat e pandemisë të cilat janë vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës, por Policia kishte ndërhyrë vetëm mbrëmjen e kaluar.

Në bastisjen e mbrëmshme siç mëson KALLXO.com janë shqiptuar 50 gjoba ndaj mysafirëve të cilët kanë qenë brenda lokalit, por edhe për pronarin e lokalit.

Për shkak të pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë me anë të disa vendimeve, ka ndaluar grumbullimin e më shumë se pesë personave në një hapësirë të mbyllur. Në lokalin i cili u bastis mbrëmjen e kaluar KALLXO.com merr vesh se kishin qenë më shumë se 50 persona.

Duke u bazuar në masat e fundit të Qeverisë së Kosovës të cilat janë vendosur për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, komuna e Podujevës gjendet në zonën e kuqe.

Kjo për shkak të numrit të madh të personave të cilët janë të infektuar me COVID-19.

Në komunat të cilat gjenden në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllen të gjitha aktivitetet ekonomike si dhe është i vendosur kufizimi i plotë i lëvizjes së qytetarëve gjithashtu edhe ndalohen të gjitha hyrjet dhe daljet deri në orën 5 të mëngjesit.

Përveç komunës së Podujevës në zonën e kuqe gjenden edhe 10 komuna të tjera, Prishtina, Zveçani, Zubin Potoku, Fushë-Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani dhe Drenasi.