Foto: Policia e Shtetit

Policia e Shtetit në kërkim të 22 vjeçarit, e kërcënoi me armë e i mori veturën një personi

Një 22 vjeçar nga Tropoja me inicialet E.P., është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit pasi dyshohet se për motive të dobëta siç janë cilësuar nga ana e organit të sigurisë, kishte kërcënuar me armë një 32 vjeçar e më pas ia kishte marrë edhe veturën

Pas të dyshuarit ishte vënë policia por që nuk kishte arritur ta kapte sepse i njëjti kishte braktisur më pas veturën e ishte larguar në drejtim të panjohur.

Policia e Shtetit ka njoftuar se është duke vijuar kontrolli për kapjen e 22 vjeçarit dhe për të konfiskuar armën e zjarrit me të cilën kanosi 32 vjeçarin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë tashmë kanë ngritur akuzat ndaj 22 vjeçarit për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Dubrav”.

22-vjeçari, kur ka konstatuar se po ndiqej nga Policia, në vendin e quajtur “Kalata e trageteve”, Fierzë, ka braktisur automjetin tip “Lançia” dhe duke përfituar nga errësira, ka mundur të largohet.

Materialet që kanë policia deri më tani i kanë kaluar te Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.