Foto: Policia e Shtetit Ilustrim

Policia e Shtetit arreston të dyshuarit për vjedhje nën kërcënimin e armës në një banesë

Mëngjesin e ditës së djeshme Policia e Shtetit është njoftuar për një vjedhje me dhunë në një banesë në fshatin Klos, Mallakastër.

Sipas njoftimit, policia menjëherë pas marrjes së njoftimit, organizuan punën për zbardhen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia e Shtetit njoftoi se, nën kërcënimin e armës së zjarrit, disa të dyshuar i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i dy personave 22 dhe 28 vjeç.

Dy të dyshuarit kryesor sipas policisë janë 22 vjeçari E.H., dhe 28 vjeçari M.G.,  për vjedhje ndërsa 16 vjeçari F.Ç., dyshohet për moskallëzim të krimit.

Ky i fundit është liruar në procedurë të rregullt ndërsa dy të dyshuarit për vjedhjen janë dërguar në mbajtje.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestrua një kallashnikovë.

Materialet sipas policisë, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”.